Our Blog

What we post and publish is awesome!

emision TEMA: Ana Mediale e Dialogut Kosovë-Serbi

 

Emision TEMA: Ana Mediale e Dialogut Kosovë-Serbi

Ivan Angelovski, gazetar hulumtues i emisionit “Insajder” të mediumit B92 në Serbi, tha se në shtetin  e tij ka tash një dallim në paraqitjen mediale të shqiptarëve të Kosovës.

Sipas Angelovskit këta shqiptarë më nuk quhen me termin poshtërues “shiptari”.

Megjithatë ai e pranoi se kur vizitoi Kosovën hasi në një realitet krejt tjetër nga ai që ia kishin prezantuar mediat e shtetit të tij.

Të njëjtën gjë për anën tjetër e tha drejtoresha e BIRN-it për Kosovë Jeta Xharra. Tregoi se pas ngjarjeve të marsit 2004 kur mediet raportuan joprofesionalisht, në Kosovë është bërë tabu-diçka e ndaluar, termi “shkije” për serbët.

Angelovski e Xharra ishin pjesë e emisionit “Tema”, një ure televizive Kosovë-Serbi, ku diskutohen me analistë të të dy shteteve çështje të ndryshme që prekin të dy vendet me histori të vështirë mes vete.

Përveç Xharrës dhe Angelovskit, në debat morën pjesë edhe Andrija Igiq, reporter i Radio-Televizionit Shtetëror Serb RTS dhe Fahri Musliu, ish-korrespodent i RTK-së në Beograd.

Igiq tha se kur e tregon emrin e mediumit ku punon, politikanët shqiptarë edhe nëse dinë serbisht, automatikisht flasin shqip, duke i shkaktuar pastaj gazetarit probleme përkthimi. Por ai tha se paraqitja mediale po shkon drejt përmirësimit.

Si shembull mori raportimet e medieve serbe për varrimet e një pjese të ish-të pagjeturve në të dy Krushat e Rahovecit dhe Suharekë, ku sipas tij këto mediume cituan edhe fjalët e kryeministrit Thaçi se “Serbia kreu gjenocid”.

Edhe Angelovski tha se gjërat po ndryshojnë për mirë, por përmendi rastet kur prezantueset e parashikimit të motit mund të ndëshkohen nga mediumet e tyre nëse kur flasin për temperaturat në Prishtinë, nuk e paraqesin atë si pjesë të Serbisë.

Më pas u fol edhe për raportimin patriotik.

Angelovski që kishte bërë një seri emisionesh me titull “Plaçkitja patriotike”, tregoi se raportimi patriotik në Serbi ishte shumë i pranishëm deri para disa vjetësh, ndërsa në emër të tij tha se politikanët e Serbisë, por edhe ata të Kosovës, shmangën para të buxhetit duke i dërguar në llogari të dyshimta.

Këto para sipas tij nuk shkuan në destinacionin e përcaktuar.

Jeta Xharra tha se një informim i tillë ishte mënyra “se si ta përballojmë njëri-tjetrin dhe traumat që i kemi pasur në konflikt”.

Pastaj u diskutua edhe për informimin dhe interpretimin diametralisht të kundërt që mediet në Kosovë e Serbi u bëjnë raundeve dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Fahri Musliu tha se politikanët serbë janë më objektivë gjatë informimit për dialogun e Brukselit, por këtë e kundërshtoi Jeta Xharra.

Xharra tha se sikur serbët e veriut të informoheshin se komunat e tyre janë pjesë e Republikës së Kosovës, nuk do të ndodhte mospranimi i postit të kryetarit nga ana e Krstimir Pantiqit në Mitrovicën Veriore.

Në emision u tha se ka nevojë dhe etje për informim të ndërsjellë për situatën në të dy vendet. Jeta Xharra përmendi një intervistë me Ivica Daçiqin, ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë për të cilën tha se kishte paragjykime se si do të pritej në Kosovë.

Tha se opinioni për dallim prej pritjeve të saj, këtë intervistë e kishte shikuar me kuriozitet.

Igiq përmendi një ndalesë për pjesëmarrje në konferencat e Vetëvendosjes me arsyetimin se shteti i tij nuk e kishte pranuar pavarësinë e Kosovës. Tha se më pas kjo ndalesë i ishte hequr.

Në debat një hapësirë e madhe iu kushtua edhe marrëveshjes për lëvizje të lirë. U tha se kjo që nuk po e lehtëson lëvizjen për qytetarët, por po e vështirëson atë.

Andria Igiq, megjithatë edhe këtu pa pozitivitetin. Tha që në Beograd askush nuk u kushton vëmendje makinave me tabela KS, derisa Jeta Xharra tregoi se shqiptarët në Serbi me makinat e tyre udhëtojnë vetëm për halle, kur duhet të shkojnë te mjeku, për faktin se shërbimet mjekësore u kushtojnë më lirë se në vendet tjera të rajonit.

Igiq shkoi edhe më tutje. Tha që mund të nisesh nga Prishtina dhe të shkosh në Jarinjë, pa ndryshuar tabelat RKS të automobilit dhe asgjë nuk do t’u ndodhë.

Leave a Reply