Our Blog

What we post and publish is awesome!

KRYPOMETRI, KONTROLLUESI I PARË I FAKTEVE NË KOSOVË

KALLXO.com nga nesër fillon një formë të re të matjes së vërtetësisë së deklaratave publike nga zyrtarët e lartë shtetërorë. E kemi quajtur “Krypometër”. Pse?

 

Me qëllim ose nga mosdija presidentët, kryeministrat, ministrat dhe politikanët të ndryshëm për 17 vjet kanë lëshuar deklarata të paqena, me qëllim të arritjes së synimeve të tyre apo përhapjes së mjegullës. Për këto deklarata është folur e debatuar nëpër koluare, e më pak nëpër media.

Deri tani, ky debat shoqëror ka kaluar pa një matës të vërtetë i cili do t’ia bënte të qartë qytetarit të vërtetën.

Në 17 vitet e fundit nuk ka pasur verifikim sistematik të vërtetësisë së atyre që kanë thënë personat që kanë mbajtur pozita publike.

Duke parë mjegullën paqartësinë dhe mungesën e llogaridhënies për deklaratat publike, KALLXO.com dhe Jeta në Kosovë, për herë të parë në Kosovë, do të lansojnë matësin e së vërtetës apo verifikuesin e fakteve (fact-check).

Matësin tonë të së vërtetës kemi vendosur ta quajmë KRYPOMETËR.

“Na krypi tu na rrejt” është frazeologji e gjuhës shqipe që përdoret për të rrëfyer për një njeri që gënjen. Më saktësisht, kjo është një gjendje ku niveli i sasisë së krypës në një ushqim përjetohet si niveli i tolerancës së shijes së njeriut për të përbirë një gjë të servuar apo për mos ta përbirë. Kjo nga mediat e ndryshme botërore ka marrë emërtime të ndryshme. Ne përmes numrit të kryporeve do ta matim nivelin e gënjeshtrës, apo së vërtetës, që i servohet publikut nga personat publikë. Pra, do ta përdorim krypën si sinonim popullor me rrenën apo gënjeshtrën.

Qëllimi i Krypometrit është të reflektojë mbi vërtetësinë e një deklarate publike, ta skanojë e ta inspektojë një deklaratë të një figure politike lidhur me çështjet me rëndësi të madhe, lokale, qendrore apo ndërkombëtare.

Do të përzgjidhen deklaratat nga fjalimet, lajmet, intervistat e shkruara dhe të transmetuara, deklarata për shtyp, broshura fushatash, reklama, postime të Facebook-ut. Për shkak se nuk mund t’i përzgjedhim të gjitha pohimet, ne do të fokusohemi te ato që janë më aktuale dhe të rëndësishme. Nuk do të punojmë vetëm në fushata zgjedhore, por gjatë gjithë kohës. Është normale që në fushata zgjedhore, siç edhe kemi qenë dëshmitarë në të kaluarën, janë thënë më shumë të pavërteta, sidomos për të ardhmen.

Por zgjedhja nuk do jetë vetëm e jona. Qytetarët të cilët janë duke i dëgjuar deklaratat, ekspertët e fushave, dijetarët dhe njerëzit e shkencës mund të sugjerojnë që deklarata të caktuara të maten me krypometër.

Në këtë formë synojmë të kemi një qytetar dhe klasë intelektuale aktive duke u sugjeruar dhe ofruar një vend ku ata mund t’i kundërshtojnë me prova e fakte deklaratat e dhëna në publik.

Deklaratat do të maten në bazë të kritereve që do të jenë publike, e për të cilat jemi të hapur të pranojmë edhe vërejtje, kritika e sugjerime. Janë pesë nivele të matësit të së vërtetës, të gjitha me sinonimin e krypës.

Një krypore përdoret për një deklaratë që është e vërtetë. Të gjitha kategoritë tjera rendisin të pavërtetat. Pra, i kemi ndarë në katër kategori rrenën, për të klasifikuar gjysmë të vërtetën nga rrena. Dy krypore do t’ia vendosim deklaratës e cila tregon një të vërtetë selektive. Pra, deklaratës e cila ka disa mangësi, zmadhime dhe pak dredhime të së vërtetës, por nuk ka rrenë të qartë andaj klasifikohet si pjesërisht e vërtetë.

Kemi paraparë edhe vlerësimin për atë që e kemi quajtur “Me Kos”, që përdoret për ato deklarata të cilat kanë lëshime serioze ose/dhe ekzagjerime të tepruara. Në këtë kategori hyjnë edhe deklaratat që mund të përfshijnë edhe gabime faktuale, por nuk është e domosdoshme. Një politikan mund të krijojë një përshtypje të gabuar duke luajtur me fjalë dhe duke përdorur gjuhë që nuk ka ndonjë domethënie për njerëzit e thjeshtë. Kjo pra klasifikohet si gjysmë e vërtetë, apo sipas gjuhës popullore “e përzime me kos”.

Kur deklarata nuk është e vërtetë, atëherë do t’i vendosim katër krypore. Një deklaratë vlerësohet se është e pa-vërtetë kur ajo ka gabime faktike. Deklaratat e tilla mund edhe të përdorin të dhëna që janë teknikisht korrekte (si për shembull: të dhëna statistikore zyrtare), por janë të përdorura aq jashtë kontekstit sa që përfundojnë të jenë mashtruese.

Përveç rrenës, e kemi edhe rrenën e kryptë. Ky vlerësim (rrenë e kryptë) i bëhet deklaratave që janë gënjeshtra të kulluara – jo vetëm që nuk është e vërtetë por në vete ngërthen edhe pretendime qesharake/të pamenduara/absurde. ‘Hetimet Vazhdojnë’ do të përdoret në rastet kur nuk mund të arrihet shpejt një kontrollim i deklaratës dhe kur një çështje është shumë komplekse ose kur ka argumente të mira në të dyja anët. Ne do ta stopojmë vlerësimin për të mbledhur ende fakte. Do ta përdorim këtë forum për t’i ndriçuar sa më shumë deklaratat kontroverse që nuk mund të zgjidhen lehtë.

Të gjitha vlerësimet janë të hapura për debat dhe kritikë prej publikut tonë dhe palët e interesuara, si dhe të gjitha vlerësimet mund të freskohen kur të paraqiten fakte të reja.

Suksesi i këtij projekti varet, në një masë të madhe edhe nga ju – lexuesi e shikuesi ynë. Do të mbështetemi në publikun për të na dërguar sugjerime për deklarata që janë bërë nga politikanë, grupe të interesit si dhe nga mediat që t’i inspektojmë se sa janë këto të bazuara në fakte. I mirëpresim komentet e sugjerimet përmes @krypometër në Facebook dhe Twitter. Synimi final i këtij projekti nuk është që t’i themi dikujt që po rren, mirëpo ta zvogëlojmë nivelin e mashtrimit dhe manipulimin nga njerëzit e pushtetshëm.

KALLXO.com dhe “Jeta në Kosovë” janë pjesë të Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN) të Institutit Poynter. Përveç që jemi pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të inspektuesve të fakteve, apo komunitet që quhet “fact-checkers” (verifikues faktesh), jemi edhe nënshkrues të Parimeve Etike të cilat duhet të zbatohen me rastin e kontrollimit të fakteve. Një verifikim i paanshëm dhe transparent i fakteve mund të bëhet instrument i fuqishëm për gazetari llogari-dhënëse.

Leave a Reply