Our Blog

What we post and publish is awesome!

Marrëveshjet Për Të Mos u Marrë Vesh Mes Prishtinës e Beogradit

 

Marrëveshjet Për Të Mos u Marrë Vesh Mes Prishtinës e Beogradit

Në emisionin “TEMA”, të drejtuar nga Faik Ispahiu, dy kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit, Edita Tahiri dhe Marko Gjuriq, flasin për njohjen e diplomave nga të dyja vendet, drejtësinë, telekomin, kadastrën, Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë dhe intergrimin e stafit të “Mbrojtjes Civile” serbe në institucionet e Kosovës.

Marrëveshja për njohjen e dy anshme të diplomave është arritur në vitin 2012 dhe deri në tash janë nostrifikuar 362 diploma nga Kosova dhe 13 diploma nga Serbia

Edita Tahiri, kryenegociatore nga pala kosovare, thotë se ka pasur një bashkëbisedim  mes Ministrisë së Arsimit me zyrtarët e Bashkimit Evropian që të gjendet një zgjidhje por, sipas saj, deri më tash nuk ka pasur lëvizje.

Tahiri thotë se shkollimi i tyre nuk mund të mohohet.

“Ajo që nuk mund të pranohet është se diplomat e tyre momentalisht kanë logot e Serbisë”, thotë Tahiri.

Nga ana tjetër, Marko Gjuriq nga pala serbe thotë se kjo është përgjegjësi shtetit të Kosovës.

“Personi i cili ka kryer universitetin shtetëror në Mitrovicën e Kosovës ka probleme me punësim në administratën e cila është nën kontrollin e institucioneve të Prishtinës”, shprehet Gjuriq.

Tahiri thotë se pala serbe nuk ka asgjë të bëjë me Universitetin e Mitrovicës Veriore sepse, sipas saj, ky është institucion i shtetit të Kosovës.

“Universiteti i Mitrovicës nuk është pjesë e marrëveshjes së Brukselit, Serbia ka provuar ta bëjë çështje të diskutimit por ne e kemi refuzuar”, shprehet Tahiri.

Ajo shpjegon se ky proces bëhet përmes Asociacionit të Universiteteve Evropiane dhe “kjo punë rregullohet me mekanizëm ndërkombëtar që i certifikon këto diploma”.

Ndërsa Gjuriq thotë që duhet të gjendet një zgjidhje pa diskriminim.

“12000 njerëz që studiojnë në Mitrovicën e Kosovës duhet mundësuar që pa diskriminim, plotësisht të lirë, të mund të punësohen në të gjitha institucionet edhe në këtë edhe në atë anë të vijës administrative”, shprehet Gjuriq.

Por nga ana tjetër, Tahiri thotë se janë 300 raste të nostrifikimit të cilave Serbia nuk u ka bërë njohje.

Ndërsa sa i përket sistemit të drejtësisë, marrëveshja për integrimin e gjykatave të veriut në sistemin e institucioneve të Kosovës ende nuk është nënshkruar pasi që palët nuk janë pajtuar për disa detaje.

Por Tahiri thotë se kjo marrëveshje ka mundur të përfundojë qysh në mars të këtij. Ajo thotë se ishin justifikimet e Serbisë që nuk lejuan që takimi të jetë produktiv dhe të arrihet marrëveshja.

E Gjuriq fajin e hedh te Prishtina.

“Në këtë moment, institucionet e Prishtinës nuk hapin dyert për zbatimin e atyre dispozitave të ligjit të cilat parashohin që komunat mund të themelojnë njësitë e reja organizative gjyqësore”, thotë Gjuriq.

Ai shprehet se marrëveshja e veçantë për gjyqësorin me të cilën u parashikua që deri më 1 shtator në territoret me shumice serbe të themeloheshin organet e reja gjyqësore me popullatën e përfaqësuar proporcionalisht me numrin e serbëve, dhe me prokurorë dhe gjyqtarë serb nuk u realizua.

E Tahiri thotë se kjo marrëveshje parashihte gjykatë themelore për 7 komuna dhe një zyre prokurorie të gjitha nën sistemin unitar të shtetit të Kosovës.

Sipas Gjuriq, pala kosovare e ka komplikuar këtë proces, për shkak se e ka politizuar atë.

“Kanë insistuar në atë që sa më pak organe gjyqësore të cilat do të ishin njësitë e veçanta organizative në komunat me shumicë serbe të krijoheshin këtu”, thotë Gjuriq.

Marrëveshja për Telekom

Kjo marrëveshje është nënshkruar me 8 shtator të vitit 2013 me të cilën Kosovës i ëhstë dhënë e drejta për ta pasur kodin shtetëror telefonik nga ndonjë vend që është anëtare e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, por as kjo ende nuk është zbatuar.

Edita Tahiri kishte thënë mars në emisionin “Jeta në Kosovë” tha se  se pengesat për kod ia kishte vënë Serbia.

Ndërsa dha një premtim që nuk e mbajti. “Në vjeshtë do të kemi kod”, kishte thënë Tahiri.

Por kur iu kërkua sqarim për premtimin, Tahiri tha se përmbushja e premtimit nuk ishte në dorën e saj.

“Nuk kam premtuar, veç kam treguar çka thotë marrëveshja. Nuk ishte në dorën tonë”, u shpreh ajo.

E Gjuriqi në këtë rast nuk ka koment.

Marrëveshja për Kadastër

Kjo marrëveshje u nënshkrua më 2 shtator 2011 ndërsa Serbia ka kthyer në Kosovë vetëm 0.02 për qind të dokumenteve kadastrale prej 12 milion sa janë gjithsej.

Ndërsa Kosova nuk e ka kaluar ligjin për formimin e Agjencisë për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës.

“Përgjegjësia është në anën tonë. Nuk kemi arritur ta miratojmë ligjin në Kuvendin tonë”, thotë Tahiri.

Nga ana tjetër Gjuriq thotë se ata  respektojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi që kjo marrëveshje ka përfunduar në këtë Gjykatë nga ana e Serbisë.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare, të përmbarueshme dhe për ato në kontekstin politik mund të bëhen biseda por në kontekstin juridik. Ato janë menjëherë të zbatuara dhe të zbatueshme”, thotë Marko Gjuriq.

Por ai thotë se me juristët po kërkojnë zgjidhje për këtë problem.

Themelimi i Asociasionit të Komunave serbe në Kosovë

Kosova dëshironë ta shoh këtë asociacion si organizatë jo qeveritare ndërsa e Serbia e paramendon si fuqi qeveritare.

Sipas Gjuriqit, Asociacioni i Komunave Serbe duhet të jetë institucion i fuqishëm dhe qendror i popullit serb në Kosovë.

Ndërsa sipas Tahirit, një grup menaxhues që është emëruar nga Ministra e Pushtetit Lokal e ka bërë një draft status se si do të duket ky asociacion dhe ai është në Bruksel.

Por Gjuriq thotë se e gjithë ideja është që vetë komuniteti serb t’i propozojë Këshillit për Zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit draftin e Statutit në të ardhmen, e pastaj që ky draft statut të pranohet nga institucionet e Prishtinës.

Intergrimi i stafit të “mbrojtjes civile” serbe në institucionet e Kosovës

Kosova ka integruar disa serbë në strukturat e policisë së vendit por kjo nuk është arritur me 700 pjesëtarë të Mbrojtjes Civile të cilët ende marrin paga nga Serbia.

Tahiri thotë se ata kanë dorëzuar planin për integrimin e pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile por së pari, sipas saj, ata duhet të largohen nga strukturat paralele.

“Brukseli po pret nga Serbia planin për zhbërjen e strukturave paralele”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër Gjuriq thotë se sipas planit të Ahtisarit dhe sipas ligjeve me të cilat komunat në veri Kosovës rregulloheshin deri më tani, komunat kanë të drejtë që të organizojnë shërbime të cilat kanë për qëllim ndihmë institucioneve komunale në llojet e ndryshme të fatkeqësive natyrore dhe problemeve të tjera.

Tahiri thotë se do të integrohen diku rreth 400 persona nga Mbrojtja Civile nëpër ministri të ndryshme të shtetit të Kosovës.

 

Leave a Reply