Komunikatë për media
08 maj 2017
BIRN dhe Internews Kosova Publikuan Raportin e 10-të Jubilar të Monitorimit të Gjykatave

Gjykatat e Kosovës duhet të punojnë më shumë në mënyrë që trajtimi i rasteve të paraburgimit në procedurën paraprake të jetë jetë më korrekt, thotë Raporti i Monitorimit të Gjykatave në Kosovë për vitin 2016.

Raporti i BIRN dhe Internews Kosova, i dhjeti jubilar, i publikuar sot në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, këtë vit në fokus të veçantë ka rastet e paraburgimit, duke dhënë një analizë të qartë të problemeve dhe ngecjeve të organeve të drejtësisë sa u përket rasteve me paraburgim.
Raporti thotë ka evidentuar stërzgjatje të paraburgimeve në pritje të gjykimit të të akuzuarve si dhe mosrespektim të afateve gjyqësore për caktimin e shqyrtimin fillestar dhe shqyrtimit të dytë. Të gjitha këto të argumentuara me raste konkrete nga monitorimi i drejtpërdrejt i punës në gjyqësor.

Raporti, i cili është pasqyrë e monitorimit të mbi 600 seancave gjyqësore në 26 gjykata të vendit, ka vërejtur që prokurorët por edhe gjykatësit me rastin e kërkesës dhe caktimit të masës së paraburgimit nuk vlerësojnë fare shpenzimet e buxhetit shtetëror për qëndrimin e një të pandehuri në paraburgim.

“Mbi 10 mijë seanca të monitoruara brenda dhjetë viteve dhe mbi 600 vetëm vitin e kaluar na kanë krijuar një bazë të fuqishme të të dhënave për trendet e punës së gjykatave e prokurorive në vend dhe kanë evidentuar ndryshimet vit pas viti, për të mirë ose për të keq.”, tha Jeta Xharra, drejtore e BIRN Kosova.

“Gjatë këtyre 10 viteve, me krenari mund të konkludoj se është ndërtuar një frymë mirëbesimi dhe respekti të ndërsjellë mes nesh dhe njerëzve në sistemin e drejtësisë deri në shkallën që monitorimi jonë konsiderohet si pjesë integrale e sistemit të drejtësisë”, tha Faik Ispahiu, drejtor i Internews Kosova.

“Shpresoj që këto të gjetura do të jenë në përfitim të mangësive që ka sistemi. Ky bashkëpunim me BIRN dhe IKS na jep të besojmë se në të ardhmen do shërbejnë për rritjen e efikasitetit,” tha Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Raporti i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që gjatë plotësim ndryshimit të Ligjit për Ndërmjetësim të ketë parasysh që të zgjedhë formën e financimit të qendrave të ndërmjetësimit në regjionet e Kosovës. Po ashtu të bëhet fushatë vetëdijesuese për qytetarët që lëndët e tyre t’i zgjidhin përmes kësaj procedure alternative.

Raporti i këtij viti ka matur nivelin e transparencës së institucioneve të drejtësisë përmes komunikimit dhe njoftimit për media dhe qytetarë.

“Duhet të punojmë në rritjen e besimit te publiku e këtë mund ta arrijmë përmes transparencës. Në rritjen e kualitetit të gjyqësorit ndikoni edhe ju duke e monitoruar sistemin. Ju përgëzoj për rekomandimet që keni gjetur për gjyqësorin”, tha kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosov♪7s, Nehat Idrizi.

“Të gjitha rekomandimet janë objektive dhe profesionale. Raporti thekson mangësi në kapacitete të prokurorëve dhe me të drejtë nxjerr problemin e mungesës se zyrtarëve për informim në të gjitha prokuroritë”, tha kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj.

Nga të dhënat e siguruara, Policia e Kosovës del të jetë institucioni me më së shumti aktivitete të zyreve për informim, e pasuar nga gjykatat dhe krejt në fund prokuroritë.

BIRN dhe Internews Kosova kanë paraqitur mbi 30 raste të shkeljeve procedurale gjatë mbajtjes së seancave gjyqësore dhe shumë shkelje teknike të paraqitura në përqindje nga monitorimi i 686 seancave gjyqësore të monitoruara.

Një ndër hulumtimet e Raportit për vitin 2016, është edhe shfrytëzimi i buxhetit të shtetit për blerjen e telefonave të shtrenjtë për bartësit e institucioneve të drejtësisë, vlera e të cilëve arrin në mbi 37 mijë euro.

BIRN dhe Internews Kosova konsiderojnë se përderisa ka mungesa elementare për punë në gjykatat themelore të Kosovës, siç janë printerët, skanerët, fotokopjet e kompjuterët, është e pakuptueshme dhe jo e drejtë që në të njëjtën kohë institucionet e drejtësisë të pajisen me telefona mobilë, të cilët më shumë mund të konsiderohen pajisje luksi se sa pajisje që do të ndihmonin në mbarëvajtjen e punës në këto institucione.

Raporti PDF