Internews Kosova dhe BIRN Kosova lansojnë dokumentarin “Liberalizmi i kontrabandës”

  • Home / Internews Kosova dhe BIRN Kosova lansojnë dokumentarin “Liberalizmi i kontrabandës”

Internews Kosova dhe BIRN Kosova lansojnë dokumentarin “Liberalizmi i kontrabandës”

  • by internewskosova |
  • Comments off

Internews Kosova dhe BIRN Kosova kanë lansuar dokumentarin “Liberalizmi i kontrabandës”, i cili ekspozon rrjetet e paligjshme të përfshira në kontrabandën e migrantëve përmes rrugëve të parregullta në Kosovë, duke përfshirë keqpërdorimin e aplikimeve për viza pune, me datë 20 shkurt 2026, në Prishtinë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionalë, diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues  të shoqërisë civile, përfshirë edhe institucionet ligjzbatuese, me fjalime kryesore nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe Blerim Rama nga Policia e Kosovës.

Në fjalën e saj, Drejtorja e BIRN Kosova, Jeta Xharra, theksoi përvojën historike të migrimit në Kosovë dhe shpjegoi se si dokumentari ekspozon funksionimin dhe ndikimin e rrjeteve të kontrabandës që përdorin Kosovën si vend tranziti. Ndërsa Kryeprokurori Blerim Isufaj theksoi se migrimi i parregullt kërkon veprime të koordinuara institucionale dhe ndërkombëtare, duke vënë në dukje bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë kështu rastin e Laboratori të vitit 2025, në të cilin të dyshuarit u dënuan nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi fokusin e Mbretërisë së Bashkuar në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe grupeve kriminale që shfrytëzojnë migrantët, duke nënvizuar bashkëpunimin e fortë me institucionet e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar. Gjithashtu, Blerim Rama nga Policia e Kosovës theksoi që pikat kryesore të hyrjes së parregullt të migrantëve përfshijnë pikat kufitare të Hanit të Elezit dhe Vërmicës, ndërsa daljet drejt Serbisë shpesh bëhen përmes Jarinjës. Ai theksoi se ka bashkëpunim efektiv me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ka mungesë të bashkëpunimit me Serbinë.

Pas përfundimit të fjalimeve, dokumentari u shfaq si premierë para të pranishmëve. Eventi i BIRN Kosova -s u transmetua direkt në kanalin Youtube. Përmes këtij dokumentari, partnerët implementues të projektit kanë për qëllim të avokojnë më tepër lidhur me kontrabandën e migrantëve dhe rrjeteve të tyre duke promovuar kështu veprime të koordinuara institucionale për të adresua migrimin e paligjshëm. Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin 44 pjesëmarrës, nga të cilët 10 ishin gra.