Transparenca e Dialogut
Transparenca e Dialogut
Bisedimet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për çështjet jetike që kanë të bëjnë me qytetarët e të dyja vendeve, janë duke vazhduar por analistët shqiptarë, serbë e të huaj vlerësojnë se ky proces është jotransparent.
Ata vlerësojnë se të dyja palët e përfshira në bisedime i interpretojnë marrëveshjet siç ato dojnë, kurse BE-ja, si ndërmjetësuese, nuk i komenton ato.
Korrespondenti nga Brukseli i gazetës kosovare ‘Koha Ditore’ dhe asaj kroate ‘Jutarnji List’, Augustin Palokaj, thotë se politikanët e të dyja vendeve që marrin pjesë në bisedime, pas takimeve japin deklarata, të cilat pastaj i llogarisin si transparencë për dialogun.
Sipas Palokajt, deklaratat e tyre më shumë janë paragjykuese sesa që flasin për përmbajtjen e marrëveshjeve që janë nënshkruar.
“Për politikanët nga Kosova dhe Serbia dhënia e deklaratave është baras me transparencë të mjaftueshme. Mirëpo, ato deklarata nuk flasim për përmbajtje të marrëveshjeve por flasin më shumë për paragjykimet e tyre, gjegjësisht për atë se si ata dëshirojnë ta shesin marrëveshjen”, tha Augustin Palokaj në emisionin “Tema” të drejtuar nga Faik Ispahiu.
Palokaj habitet me qëndrimin e BE-së rreth transparencës së dialogut Kosovë-Serbi, e cila për nga natyra është institucion transparent, por këtë nuk e dëshmon në rastin e Kosoovës.
“Mua më befason se me një qasje të tillë pajtohen zyrtarët e Bashkimit Evropian, sepse BE-ja, për dallim nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë, është një institucion shumë transparent për nga natyra. Por këtë transparencë nuk e dëshmon në rastin e Kosovës. Madje ajo që është shqetësuese, BE-ja, më saktësisht lehtësuesit në ekipin e zonjës Moghelini janë të bindur se përmes mungesës së transparencës kanë arritur sukses aq të madh”, ka shtuar korrespondenti Palokaj.
Dushan Gajiq, korrespondent nga Brukseli i Radiotelevizionit të Serbisë, vlerëson se qëndrimi i këtillë i BE-së ndaj dialogut Kosovë-Serbi është bërë me qëllimin që t’u mundësohet të dyja palëve të përfshira t’i ‘shesin’ marrëveshjet siç dojnë ato.
“Mendoj që kjo është qasje pragmatike, ashtu që Beogradit dhe Prishtinës t’u mundësohet që t’i shesin më lehtë te publiku i tyre. Kjo mbase është e kuptueshme në një fazë të bisedimeve, posaçerisht në fillim, por me kalimin e kohës kanë ndodhur disa situata vërtet absurde ku vështirë siguroheshin informatat konkrete, jo vetëm për marrëveshjet e arritura, por në përgjithësi për atë që është biseduar”, ka thënë Gajiq.
Pavle Dimitrijeviq, nga organiata joqeveritare “BIRODI” nga Serbia ka thënë se në Beograd pothuajse fare nuk organizim të debateve rreth marrëveshjeve që janë nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dialogut në përgjithësi.
“Ajo që kemi vërejtur deri më tani është se mediet në Serbi raportojnë ekskluzivisht për ndodhitë në Bruksel, ndërsa Qeveria e Serbisë nuk bën asgjë për të siguruar informim shtesë. Në Serbi nuk ka diskutim për atë se si realizohet dialogu në Bruksel, nuk ka fare debate të hapura në emisione në medie dhe OJQ-të gjithashtu nuk kanë organizuar debate për këtë temë dhe përgjithësisht i tërë ky proces është larg opinionit publik”, tha thënë Pavle Dimitrijeviq.
Ndërkaq, Valerie Hopkins – nga projekti i “Big Deal” për monitorimin e dialogut, ka thënë se ka vërejtur jotransparencë tek Qeveria e Kosovës sa i përket publikimit të planeve se si do të implementohen marrëveshjet e arritura mes dy vendeve.
“Kosova i ka të dhjetë marrëveshjet nga dialogu teknik, si dhe marrëveshjen e 19 prillit në internet. Por pothuajse nuk ka fare informata për atë se si pritet të zbatohen këto marrëveshje, ndonëse marrëveshjet duhet të kenë edhe plan zbatimi. Plani i zbatimit për marrëveshjen e 19 prillit është bërë publik, bashkë me të gjitha afatet, ndonëse të gjitha afatet kanë kaluar para zbatimit të komponentëve të marrëveshjes”, ka thënë Valeri Hapkins.
Megjithatë, ajo ka thënë se marrëveshja për gjyqësorin, që është arritur më 10 shkurt të këtij viti, ajo ende nuk është në faqe të internetit.
Sipas saj, gati dy javë pas arritjes së marrëveshjes BIRN-i ka bërë thirrje të vazhdueshme te Qeveria e Kosovës, duke bërë përpjekje për t’i marrë këto informata.