Internews Kosova dhe BIRN Serbia organizuan vizitën e dytë studimore të gazetarëve në Kosovë dhe Serbi

  • Home / Internews Kosova dhe BIRN Serbia organizuan vizitën e dytë studimore të gazetarëve në Kosovë dhe Serbi

Internews Kosova dhe BIRN Serbia organizuan vizitën e dytë studimore të gazetarëve në Kosovë dhe Serbi

  • by internewskosova |
  • Comments off

Nga 3 deri më 8 nëntor 2024 është organizuar vizita e dytë studimore për 14 gazetarët nga Kosova dhe Serbia. Programi ka përfshirë vizita në monumente dhe objekte kulturore si dhe takime me përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe gazetarë nga të dyja vendet.

Udhëtimi është hapur me takimin mikpritës të gazetarëve në Reporting House – ekspozitë  e prodhuar nga BIRN Kosova dhe Paper Gallery ku shfaqen pamje nga reporterë dhe fotoreporterë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë përcjellur ngjarjet gjatë luftës së fundit në Kosovë. Gazetarët nga Serbia dhe Kosova vizituan ekspozitën dhe më pas u ftuan për një diskutim me Cyprien Francois, kryekëshilltar politik i ambasadorit të Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav dhe Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi, mbi marrëdhënien e institucioneve me median dhe programet e BE-së në formësimin e mediave profesionale në Kosovë.

Në ditën e dytë, vizita e gazetarëve vazhdoi në takimin me Elbert Krasniqin, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, në të cilin gazetarët u njoftuan me punën e ministrisë dhe raportin e tyre me komunitetet jo-shumicë. Pas këtij takimi interaktiv gazetarët nga Kosova dhe Serbia vizituan Qendrën e Dokumentimit nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe ekspozitat “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” kushtuar fëmijëve dhe të rinjve të vrarë gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, si dhe ekspozitën “Një ditë” e cila portretizon jetën e grave shtatzëna gjatë kësaj periudhe.

Në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, gazetarët u pritën nga Bekim Blakaj, drejtor i FDHK-së, Blerta Hocia, kuratore e ekspozitave, dhe Vesa Qena, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit.

Gjatë vizitës në Kosovë, gazetarët patën mundësinë të takohen me gazetarë dhe shoqërinë civile në Mitrovicën e Veriut në OJQ Aktiv, dhe me drejtorin e Radio Gorazdevac, Darko Dimitrijevic në Gorazhdec të Pejës. Këto takime patën qëllim informimin e gazetarëve rreth rëndësisë së mediave dhe shoqërisë civile të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë dhe synuan të krijojnë një pasqyrë të jetesës së përbashkët të komuniteteve dhe marrëdhënieve të tyre me institucionet e Kosovës.

Në ditën e tretë, grupi i gazetarëve u prit nga Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, Xhenet Syka Kelmendi, drejtoreshë e Kulturës në Pejë dhe Mirzhet Dzhogoviq, nënkryetar për Komunitete në Komunën e Pejës, për të diskutuar rreth shpërndarjes së subvencioneve, punën e Komunës së Pejës për një mirëqenie të qytetarëve dhe resurset kulturore të kësaj komune.

Vizita studimore e gazetarëve përfshiu edhe vizita në monumentet fetare që simbolizojnë një pjesë të kulturës së vendit. Këto vizita u zhvilluan në Patrikanin e Pejës dhe Manastirin e Graçanicës ku ciceronët shpjeguan historinë e objekteve fetare.

Në mesin e ditës së tretë gazetarët udhëtuan për në Serbi dhe përgjatë ditës së katërt, pesë dhe gjashtë patën mundësi të takoheshin me shoqërinë civile dhe gazetarë nga Bujanoci si dhe me Arbër Pajazitin, kryetar i Bujanocit, për të vazhduar me programin e njohjes së sfidave dhe përparësive të bashkëjetesës së dy komuniteteve në vend. Në Beograd dhe në Novi Sad, gazetarët nga Kosova dhe Serbia zhvilluan takime me raportues të çështjeve të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe shoqërinë civile të cilat veprimtarinë e fokusojnë në pajtimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis kosovarëve dhe serbëve.

Për më shumë, gazetarët vizituan Kalanë e Kalemegdanit në Beograd dhe Kalanë e Pedrovaranit në Novi Sad.

Gjatë gjithë këtij udhëtimi gazetarët parashtruan pyetje në takimet me përfaqësues të institucioneve dhe arritën të krijojnë kontakte të reja duke përfshirë gazetarët nga komuniteti tjetër për bashkëpunime potenciale në të ardhmen.

Gjeni këtu dokumentarin nga vizita e parë e këtij lloji e mbajtur në qershor të 2024-ës.

Programi i vizitës studimore të gazetarëve u bë i mundur në kuadër të projektit “Nxitja e shkëmbimit mediatik ndërkulturor si një moment historik drejt një procesi të pajtimit” i financuar nga Bashkimi Europian dhe i implementuar nga Internews Kosova dhe BIRN Serbia.