Internews Kosova mban trajnim me nxënësit e gjimnazit “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë
Më 9 maj 2023, Internews Kosova ka mbajtur një trajnim me nxënësit e gjimnazit “Hivzi Sylejmani” në komunën e Fushë Kosovës.
Para trajnimit, studentët patën mundësinë të marrin pjesë në një panel diskutimi të përbërë nga Maria Suokko – Përfaqësuese Vendore e UNDP-së në Kosovë dhe Faik Ispahiu – Drejtor Ekzekutiv i Internews Kosova, i cili u moderua nga Kreshnik Gashi – Redaktor Menaxhues në KALLXO.com. Gjatë këtij paneli, panelistët prezantuan programin para studentëve dhe u thelluan në rëndësinë e shkrim-leximit mediatik.
Trajnimi u mbajt si pjesë e projektit “KALLXO.com – The Anti-corruption platform/Crowdsourcing Citizen Engagement to Report and Fight Corruption” i financuar nga UNDP dhe kishte për cak nxënësit e shkollave të mesme publike të Kosovës që janë të interesuar të marrin pjesë në trajnim për prodhimin mediatik, edukimin mediatik, etikën, trajtimin e lajmeve të rreme dhe prodhimin e videove.
Gjithsej 22 studentë të gjimnazit “Hivzi Sylejmani” morën pjesë në trajnim, nga ta 15 ishin vajza. Në fund të trajnimit, të rinjtë parashtruan idetë e tyre gazetareske, të cilat ekipi i Internews Kosova i mblodhi dhe diskutoi me ta. Studentet do te kenë mundësinë te publikojnë artikuj dhe materiale tjera në platformën online KallxoRinia. Prodhimi i të gjithë këtyre artikujve do të mbikëqyret nga një ekip redaktorësh.
Në muajt në vijim, Internews Kosova do të mbajë sesione të tjera trajnuese në Departamentin e Studimeve Sociale të shkollave të mesme nga mbarë Kosova.