Internews Kosova publikon dokumentarin rreth sfidave të komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë

  • Home / Internews Kosova publikon dokumentarin rreth sfidave të komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë

Internews Kosova publikon dokumentarin rreth sfidave të komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë

  • by internewskosova |
  • Comments off

Internews Kosova ka organizuar shfaqjen e dokumentarit “Gjurmët e Diskriminimit”, i realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian përmes grantit në kuadër të projektit Rrjeti për Raportim mbi Diversitetin.

 

Më 20 shkurt 2026, aktiviteti u mbajt në Reporting House, me pjesëmarrjen e 32 të pranishmëve, prej tyre 22 gra dhe 10 burra nga institucionet qendrore, lokale dhe të pavarura, organizata të shoqërisë civile, aktivistë dhe mysafirë të tjerë.

 

Dokumentari trajton përvojat e komuniteteve të margjinalizuara në Kosovë, sfidat me të cilat ato përballen në jetën e përditshme dhe mënyrat se si paragjykimet dhe diskriminimi ndikojnë në qasjen në shërbime, përfaqësim dhe pjesëmarrje shoqërore. Përmes rrëfimeve personale dhe perspektivave profesionale, dokumentari synon të nxisë reflektim publik dhe të hapë diskutim mbi rëndësinë e trajtimit të barabartë dhe përfshirjes.

 

Dokumentari gjithashtu shfaq pikëpamjet institucionale me anë të intervistave nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

 

Pas shfaqjes së dokumentarit, Internews Kosova organizoi një panel diskutimi ku morën pjesë Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi; Avokati i Popullit, Naim Qelaj dhe aktivistja Emira Kuqani. Panelistët diskutuan format më të shpeshta të diskriminimit në nivel lokal dhe institucional, mekanizmat ekzistues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe rolin e institucioneve dhe shoqërisë civile në parandalimin dhe adresimin e rasteve të tilla.

 

Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritja e ndërgjegjësimit publik dhe nevoja për raportim profesional e etik nga mediat, në mënyrë që zërat e komuniteteve të margjinalizuara të përfaqësohen drejt dhe pa stereotipe. Pjesëmarrësit patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të ndajnë përvojat e tyre, duke e kthyer aktivitetin në një hapësirë interaktive diskutimi.

 

Qëllimi i aktivitetit ishte të nxisë debat publik mbi luftimin e diskriminimit, të fuqizojë zërat e komuniteteve të prekura nga diskriminimi dhe të kontribuojë në përmirësimin e raportimit mediatik për çështjet e diversitetit.

 

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit për promovimin e raportimit mbi diversitetin dhe mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.