ISH-USHTARËT ARMIQ NË DEBAT TELEVIZIV
Nuk janë më në istikame përballë njëri-tjetrit, me armë në dorë, si gjatë kohës së luftës, por përballen përsëri në një debat.
LINK – Emisioni “Tema” i kësaj jave, një urë televizive Prishtinë-Beograd ballafaqon veteranët e UÇK-së dhe ata të ish-ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë.
Veteranët e UÇK-së dhe ata të ish-ushtrisë së Republikës Federale Jugosllave, një krijesë që përbëhej nga Serbia e Mali i Zi gjatë luftës së Kosovës, do të përballen edhe një herë mes veti, këtë radhë jo me fuqinë e armëve, por me atë të argumenteve.
Edicioni i ri i emisionit “Tema” do të bëjë bashkë në një debat përmes urës televizive Prishtinë-Beograd, ish-ushtarët armiq, që tash jetën e shohin ndryshe.
Në debat nga studioja në Beograd do të marrin pjesë Dejan Ivanoviq e Veroljub Smiljkoviq dhe Lirak Çelaj e Gazmend Fazliu nga studioja e Prishtinës.
Dejan Ivanoviq, është veteran lufte nga Krushevci. Në kohën e luftës në Kosovë ka qenë duke e kryer shërbimin e rregullt ushtarak. Në muajin maj të vitit 1999, është plagosur gjatë betejës së Koshares.
“Unë kam qenë duke kryer obligimin tim ndaj shtetit”, thotë Ivanoviq gjatë debatit që do të transmetohet sonte në Radio-Televizionin 21.
Lirak Çelaj që vepronte në Zonën Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të njëjtin debat thekson se e ka vështirë të ndodhet përballë dy ushtarëve serbë që luftuan në Kosovë, por e pranon se një përballje e tillë me fjalë duhet të ndodhë.
“Ne nuk kemi rrugë tjetër për të ndjekur dhe politika duhet të luajë rolin e saj”, thotë Çelaj, i cili në Kosovë njihet si aktor.
Veroljub Smiljkoviq, pjesëmarrësi tjetër i debatit mes ushtarëve është gjithashtu nga Krushevci. Në vitin 1998 është plagosur kur po çonte ushqime për ushtarët në zonën e Shtimes. Ai tash udhëheq organizatën “Mbrojtësit e Paqes” dhe kërkon që të ketë bashkëpunim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Është e rëndësishme të kuptohet se ne duhet të punojmë për ndërtimin e paqes. Lufta është e keqja më e madhe që i ka ndodhur njerëzimit”, thotë Smiljkoviq.
Për paqe tash mendon edhe Gazmend Fazliu, veteran i UÇK-së që thotë se është koha e bashkëpunimit dhe e krijimit të një atmosfere të paqes.
Veteranët e të dy anëve të luftës janë përballur për herë të parë në një debat televiziv.
Ata në emisionin “Tema” do të diskutojnë edhe për mundësinë e tejkalimit të problemeve dhe për mënyrën si të arrihet paqja. Veteranët do të flasin edhe për statusin e tyre në të dy vendet, mënyrën se si trajtohen ata nga shtetet dhe çfarë jete bëjnë.
Kur flasin veteranët gjithmonë kujtohet edhe lufta.