Nxënësit nga Prishtina trajnohen në fushën e gazetarisë
Internews Kosova më 25 dhe 26 janar ka mbajtur një trajnim për gazetari me nxënës nga Prishtina.
Rreth 20 nxënës të Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Prishtinë morën pjesë në trajnim si pjesë e projektit për ngritjen e kapaciteteve të nxënësve me talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese.
Trajnimi dyditor i implementuar nga organizata “Internews Kosova”, ishte i ndarë në katër sesione, që përfshinin informacione lidhur me bazat e gazetarisë, shkathtësitë e shkrimit gazetaresk, gazetarisë televizive, hulumtuese dhe etikën e gazetarisë.
Trajnimi dhe vizita studimore u bë në zyret e KALLXO.com ku nxënësit panë për së afërmi procesin e punës së një redaksie mediale
Redaktori i KALLXO.com Visar Prebreza në ditën e parë të trajnimit u ligjëroi nxënësve lidhur me bazat e gazetarisë dhe teknikat që sjellin produktet e ndryshme mediale.
Ndërsa Valdet Salihu, producent në KALLXO.com dhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, u tregoi nxënësve më shumë lidhur me anën teknike të prodhimit medial.
Ai u dha mundësinë nxënësve të shohin mënyrën e funksionimit të mjeteve si kamera dhe foto aparati.
Në sesionin e ditës së dytë të trajnimit, Kreshnik Gashi, Kryeredaktor në KALLXO.com dhe autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” me shembuj konkretë diskutoi me nxënësit temat që ata mund të trajtojnë dhe produktet mediale që mund t’i prodhojnë me interes të gjeneratës së tyre, në platformën KALLXO Rinia.
Në ditën e dytë të trajnimit, nxënësit po ashtu morën informacione lidhur me anën ligjore të funksionimit të mediave.
Labinot Leposhtica, koordinator i Zyrës Ligjore në KALLXO.com, njoftoi pjesëmarrësit në trajnim me institucionet dhe organet që rregullojnë funksionimin e mediave dhe Ligjin e Shpifjes.
Ai shpjegoi kujdesin që gazetarët duhet ta kenë në respektimin e kodit të etikës në gazetari dhe profesionalitetin.
Pjesëmarrësit u certifikuan, ndërsa disa prej tyre do të jenë të përzgjedhur për të vazhduar bashkëpunimin me KALLXO.com, përkatësisht platformën KALLXO Rinia.
Trajnime të tilla do të realizohen në pesë komuna të Kosovës: Prizren, Ferizaj, Mitrovicë Jugore, Gjilan dhe Prishtinë.