Internews Kosova organizoi trajnim me studentë të kolegjit privat në fushën e verifikimit të fakteve
Me 2 maj 2024, Internews Kosova mbajti sesion trajnimi me studentët e Kolegjit AAB në Prishtinë, në fushën e verifikimit të fakteve.
Ky trajnim i implementuar nga Internews Kosova është pjesë e projektit ‘’Fuqizimi i integritetit të mediave: Promovimi i Fact-Checking dhe luftimi i dezinformimit në Kosovë’’, financuar nga Bashkimi Europian, CFI (Agjensioni për Zhvillimin e Medias).
Përgjatë këtij sesioni të trajnimit interaktiv me studentë- gazetarë të së ardhmes,, redaktori përgjegjës i Kallxo.com, Visar Prebreza, theksoi rëndësinë e verfikimit të fakteve. Me shembuj konkretë të hulumtimeve të realizuara në Kallxo.com që kanë fituar çmime gazetareske, Prebreza foli më në detaje për metodologjinë, procesin dhe vështirësitë e të gjithë rrugëtimit hulumtues i cili herë pas here u përball edhe me pengesa të shfaqura në llojin e kërcënimeve jo-direkte apo edhe marrjen e vendimeve nga gjykatat në momente kur shoqëria ishte e shpërqëndruar nga lajme të tjera dhe nuk kishte vëmëndjen në çështje apo afera korruptive.
Prebreza potencoi rëndësine e të qenit i vëmendshëm në marrjen e informacionit pasiqë asnjë burim nuk duhet anashkaluar.
“Çdo burim është me vlerë dhe më pas ai informacion para se të bëhet lajm duhet verifikuar”, tha Visar Prebreza.
Në këtë trajnim morën pjesë 17 studentë, nga të cilët 14 pjesëmarrëse ishin vajza. Studentët pjesëmarrës në këtë ligjëratë ishin tejet aktivë dhe u interesuan në çështje të ndryshme e raste specifike të trajtuara nga gazetarët të ndryshëm. Për më tepër, ata kërkuan edhe një ligjëratë të veçantë në fund të muajit maj në të cilën do të shpjegohej në detaje një procesi hulumtues gazetaresk deri në publikim.