Nxënësit nga Prizreni trajnohen në fushën e gazetarisë

  • Home / Nxënësit nga Prizreni trajnohen në fushën e gazetarisë

Nxënësit nga Prizreni trajnohen në fushën e gazetarisë

  • by internewskosova |
  • Comments off

Internews Kosova me 16 dhe 17 nëntor, ka mbajtur një trajnim për gazetari me nxënës nga Prizreni.

Rreth 18 nxënës të Gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren morën pjesë në trajnim si pjesë e projektit për ngritjen e kapaciteteve të nxënësve me talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese.

Trajnimi  dy ditor ishte i ndarë në katër sesione që përfshinin informacione lidhur me bazat e gazetarisë, shkathtësitë e shkrimit gazetaresk, gazetarisë televizive,  hulumtuese dhe etikën e gazetarisë.

Trajnimi dhe vizita studimore u bë në zyret e KALLXO.com ku nxënësit panë për së afërmi procesin e punës së një redaksie mediale.

Kryeredaktori i KALLXO.com dhe autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi, përmes një sesioni me interaktivitet, iu ligjëroi nxënësve lidhur me bazat e gazetarisë dhe teknikat që sjellin produktet e ndryshme mediale.

Në sesionin e ditës së dytë të trajnimit, Gashi, me shembuj konkret, diskutoi me nxënësit temat që ata mund të trajtojnë dhe produktet mediale që mund t’i prodhojnë me interes të gjeneratës së tyre, në platformën KALLXO Rinia.

Valdet Salihu, producent në KALLXO.com dhe “Drejtësia në Kosovë”, u tregoi nxënësve më shumë lidhur me anën teknike të prodhimit medial.

Ai i dha mundësinë nxënësve të shohin mënyrën e funksionimit të mjeteve si kamera dhe foto aparati.

Nxënësit po ashtu morën informacione lidhur me anën ligjore të funksionimit të mediave.

Labinot Leposhtica, koordinator i zyrës ligjore në KALLXO.com, njoftoi pjesëmarrësit në trajnim me institucionet dhe organet që rregullojnë funksionimin e mediave dhe Ligjin e Shpifjes.

Ai shpjegoi kujdesin që gazetarët duhet ta kenë në respektimin e kodit të etikës dhe profesionalitetin.

Nxënësit u shprehën të interesuar me përmbajtjen e trajnimit me pyetje dhe interesim të vazhdueshëm lidhur me gazetarinë.

Pjesëmarrësit u certifikuan, ndërsa disa prej tyre do të jenë të përzgjedhur për të vazhduar bashkëpunimin me KALLXO.com, përkatësisht platformën KALLXO Rinia.

Trajnime të tilla do të realizohen në pesë komuna të Kosovës, Prizreni, Ferizaj, Mitrovica Jugore, Gjilani dhe Prishtina.

Ky projekt mbështetet nga  Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe implementohet nga Internews Kosova.