Internews Kosova dhe BIRN Kosova trajnojnë të rinjtë në Prizren për gazetari hulumtuese

  • Home / Internews Kosova dhe BIRN Kosova trajnojnë të rinjtë në Prizren për gazetari hulumtuese

Internews Kosova dhe BIRN Kosova trajnojnë të rinjtë në Prizren për gazetari hulumtuese

  • by internewskosova |
  • Comments off

Internews Kosova dhe BIRN Kosova, më 17 dhe 18 tetor, kanë mbajtur një trajnim për gazetari hulumtuese me një grup të rinjsh nga Prizreni.

Trajnimi është mbajtur në mjediset e American Corner në Prizren.

Trajnimi ka përfshirë 11 sesione gjatë të cilave janë diskutuar tema të ndryshme të gazetarisë hulumtuese si: format e raportimit dhe monitorimit, ndërtimi i kredibilitetit në publik për mediat që luftojnë korrupsionin, të folurit në publik dhe para kamerës, raportimi përmes analizuesit të fakteve dhe tema tjera.

19 pjesëmarrës të rinj nga Prizreni- 12 vajza dhe 7 djem- përmes këtij trajnimi kanë ngritur kapacitetet e tyre

Pjesëmarrës në këtë trajnim kanë qenë gjithsej 19 të rinj të komunës së Prizrenit, nga të cilët 12 kanë qenë vajza dhe 7 djem.

Drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu, i specializuar në ofrimin e trajnimeve me fokus të veçantë në median elektronike, menaxhimin dhe marketingun, produksionin televiziv si dhe në zhvillimin e strategjisë zhvilluese për median e Kosovës, i informoi të rinjtë më shumë për themelimin e platformës kosovare kundër korrupsionit KALLXO.com dhe përdorimin e kallxuesve për të luftuar korrupsionin.

Ispahiu foli edhe për ciklin 360 shkallë të raportimit në KALLXO.com, ndërtimin e kredibilitetit në publik për mediat që luftojnë korrupsionin, programet “Jeta në Kosovë”, “Drejtësia në Kosovë” dhe kalimin në platformën online. Përveҫ këtyre, ai u ka folur pjesëmarrësve edhe për aspektet teknike të punës në gazetari përfshirë të folurit në publik dhe para kamerës për fillestarë, diksion, produksion, puna me kamerë, ndriҫimi, kuadrimi, mikrofoni, xhirimi dhe qëndrimi para kamerës.

Redaktori i KALLXO.com Visar Prebreza gjatë këtij trajnimi dy-ditor u foli pjesëmarrësve më shumë për format e raportimit dhe të monitorimit si raportimi duke përdorur rrjeteve sociale, përdorimi i këtyre rrjeteve për të hulumtuar dhe mundësitë e identifikimit të lajmeve të rreme në rrjetet sociale, raportimi përmes analizuesit të fakteve-Krypometrit, përdorimi i platformave për raportim të korrupsionit dhe informacioneve nga qytetarët për të hulumtuar raste të mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe monitorimin e prokurimit publik dhe ndërtimin e raporteve gazetareske bazuar në monitorimin e raporteve të auditimit.

Koordinatori i Zyrës Ligjore të KALLXO.com, Labinot Leposhtica, u foli të rinjve për rregullat dhe etikën në media përfshirë raportimin etik dhe rregullat e vetërregullimit të mediave të shkruara dhe elektronike si dhe njohuritë bazike për raportim nga gjykatat.

Në sesionet e fundit Labinot Leposhtica Visar Prebreza kanë mbajtur disa orë punë praktike për t’u ofruar të rinjve njohuri më të thella se si të qasen në ueb faqen e-Prokurim dhe adresimin e ҫështjeve praktike në prokurim dhe në auditim duke përdorur raste praktike nga monitorimi i gjykatave dhe i prokurimit publik.

Pjesëmarrësit kanë treguar një interesim të jashtëzakonshëm për të gjitha temat e trajtuara përmes pyetjeve gjatë sesioneve të mbajtura dhe kanë shprehur interesimin për bashkëpunim të mëtejmë me Internews Kosova dhe BIRN.