Internews Kosova mban Kampin multietnik kundër dezinformimit

  • Home / Internews Kosova mban Kampin multietnik kundër dezinformimit

Internews Kosova mban Kampin multietnik kundër dezinformimit

  • by internewskosova |
  • Comments off

Internews Kosova organizoi kampin multietnik kundër dezinformimit me gazetarë të rinj dhe studentë, në Mitrovicë, më 22-24 mars 2024.

Kampi u mbajt në kuadër të projektit ‘’Fuqizimi i integritetit të mediave: Promovimi i Fact-Checking dhe luftimi i dezinformimit në Kosovë’’, financuar nga Bashkimi Europian, CFI (Agjensioni për zhvillimin e medias), implementuar nga Internews Kosova. Në këtë kamp morën pjesë gazetarë të rinj dhe studentë të interesuar të kuptojnë më tepër në fushën e dezinformimit dhe lajmeve të rreme.

Gjithsej 21 gazetarë të rinj dhe studentë morën pjesë në këtë kamp, nga të cilët 11 ishin gra. Në kuadër të këtij kampi, përmes folësve të ndryshëm pjesëmarrësit patën rastin të mësojnë më tepër lidhur me kontekstin historik të dezinformatës, metodologjitë e kontrollimit të fakteve, identifikimin e dezinformatave, rregullat e “Community Standards”, mbrojtjen ligjore nga dezinformatat si dhe zhvillimi i programeve në fact-check dhe mundësitë e financimit të tyre.

“Njoftimi i studentëve dhe gazetarëve të ri me konceptin e dezinformatave, format dhe mënyrën e identifikimit të dezinformatave dhe në veçanti me mekanizmat rregullues dhe vetërregullues që luftojnë dezinformatat është proces i domosdoshëm për zhvillimin e tyre profesional”, tha Labinot Leposhtica, një ng atajnerët e këtij kampi.

“Në këtë drejtim pjesëmarrësit arritën të kuptojnë rëndësinë e luftimit të kësaj dukurie dhe treguan përkushtim në përvetimin e njohurive që shpalosëm për ta”, shtoi ai.

Denis Hajrullahu, një student nga Universiteti i Prishtinës, tha se kampi i ka ndihmuar atij për t’i kuptuar dhe identifikuar më mirë dezinformatat.

“Unë si i ri, por edhe pjesëmarrësit tjerë, kam marrë njohuri të reja për dezinformimin dhe lajmet e rreme për shkak se ne marrim shumë lajme të rreme gjatë ditës. Ky kamp na ka ndihmuar në aftësimin tonë profesional për t’i identifikuar lajmet e vërteta dhe ato të rreme”, tha Hajrullahu.

Gjatë  kampit, të rinjtë duke punuar në grupe zhvilluan propozime për projektet të mundshme në fushën e dezinformimit dhe fact-checking. Përveç kësaj, ata parashtruan ide të cilat ekipi i Internews Kosova do t’i marrë parasysh për të rritur edhe më shumë përfshirjen e të rinjëve në gazetari hulumtuese.

Në muajt në vijim, Internews Kosova do të realizojë sërish aktivitete të ngjashme në mënyrë që gazetarëve të rinj dhe studentëve të ju ofrohen mundësi të rritjes së profesionalizmit të tyre.