Internews Kosova publikon raportin mbi diskriminimin sistematik në hapësira dhe punë

  • Home / Internews Kosova publikon raportin mbi diskriminimin sistematik në hapësira dhe punë

Internews Kosova publikon raportin mbi diskriminimin sistematik në hapësira dhe punë

  • by internewskosova |
  • Comments off

Më 29 nëntor 2023, Internews Kosova mbajti konferencën për publikimin e raportit “Diskriminimi Sistematik në Hapësira dhe Punë“ rreth diskriminimit të vazhdueshëm të grupeve të margjinalizuara në aspektin infrastrukturor në qasje fizike në institucione publike.

Gjetjet e këtij raporti tregojnë se shumica e institucioneve të Kosovës dështojnë të plotësojnë kushtet për qasje të barabartë nga të gjithë. Gjetjet për të vlerësuar përputhjen me ligjin përkatës dhe qasjen e barabartë në hapësira dhe punë janë rezultat i 6 muajve monitorim në rreth 20 komuna në të gjithë Kosovën.

Raporti përmban rekomandime dhe ngrit vetëdijesimin për implementim të politikave anti-diskriminuese nëpër institucione.

Këto të dhëna janë diskutuar në dy panele. Paneli i parë i kësaj konference u moderua nga Kreshnik Gashi me panelistët Naim Qelaj, Avokat i Popullit; Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal; Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës dhe Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Gjatë këtij diskutimi, Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se Prishtina tenton të ofrojë barazi në çdo sferë dhe se po shtyhen përpara analizat e ndërtesave për të parë nevojën për ndërhyrje dhe ofrimin e qasjes.

Paneli i dytë, me diskutimin rreth sfidave të krijimit të institucioneve gjithëpërfshirëse në Kosovë, u moderua nga Valon Fana dhe përfshinte panelistët Afrim Maliqi nga HANDIKOS; Elvis Karadolami nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Senad Ibishi nga VoRAE dhe Drin Haraçia nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Kjo konferencë mblodhi mbi 42 pjesëmarrës: 13 gra dhe 29 burra nga institucione si Komuna e Prishtinës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, HANDIKOS, qendrat e mjekësisë familjare, OJQ-të dhe mediat.

Konferenca është organizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Luftimi i diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në baza gjinore” – zbatuar nga ATRC, Internews Kosova dhe D4D. Përmbajtja e raportit është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.